Jump to content

Vushtrria

Coordinates: 42°49′20″N 20°58′10″E / 42.82222°N 20.96944°E / 42.82222; 20.96944
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Vushtrria
Вучитрн
Vučitrn
Panorama e Vushtrrisë
Panorama e Vushtrrisë
Flamuri i Vushtrria
Official logo of Vushtrria
Vendodhja e komunës së Vushtrrisë në Kosovë
Vendodhja e komunës së Vushtrrisë në Kosovë
Koordinatat: 42°49′20″N 20°58′10″E / 42.82222°N 20.96944°E / 42.82222; 20.96944
ShtetiKosova Kosova
RajoniMitrovica
Qeveria
 • KryetariFerit Idrizi (PDK)
 • Komunal345 km2 (133 sq mi)
Lartësia mbidetare
944 m (3.097 ft)
Lartësia më e lartë
1.380 m (4.530 ft)
Lartësia më e ulët
508 m (1.667 ft)
Popullsia
 (2011)
 • Urban
26.964
 • Komunal
69.870
 • Dendësia (Komunal)200/km2 (520/sq mi)
Zona kohoreUTC+1 (CET)
 • Verës (DST)UTC+2 (CEST)
Kodi postar
42000
Prefiksi+383 28
Targa e automjeteve02
Faqja zyrtarekk.rks-gov.net/vushtrri

Vushtrria, Viçitrina ose Vuçitërna (serbisht: Вучитрн / Vučitrn) është qytet i lashtë, por edhe modern, i cili ndodhet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Vushtrria e sotme më herët është quajtur Viciana[1], apo siç njihet në burimet latine: Vicianum.[2]

Në veri kufizohet me Mitrovicën, në lindje me Besianën, në jug me Kastriotin, në jug-perëndim me Drenasin dhe në perëndim me Skënderajn. Sipërfaqja e tërësishme e saj përfshin 345 km². Ndërkaq, vlerësohet të ketë rreth 69,881 banorë, nga të cilët mbi 92% shqiptarë. Nën administrimin e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë përfshihen 67 fshatra.

Qytetin e Vushtrrisë e përshkojnë lumi Sitnica, si lumi më i madh që përshkon tejpërtej territorin e Komunës, ndërsa dy lumenj më të vegjël, Tërstena dhe Studimja, kalojnë nëpër qytetin e Vushtrrisë. Gjuhët zyrtare janë shqipja dhe serbishtja, ndërsa në vitin 2008, Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që në përdorim zyrtar të jetë edhe gjuha turke.

Ndërtimet e bëra mbas luftës, e bëjnë Vushtrrinë tepër tërheqëse, si për t'u vizituar, ashtu edhe për të investuar në këtë qytet, që për disa shekuj ka qenë qyteti më i madh i Kosovës, por edhe ndër qytetet më të mëdha të Ballkanit dhe fatmirësisht, pas luftës, ky qytet antik me vlera të jashtëzakonshme e ka marrë prapë shkëlqimin e dikurshëm. Faktin që Vushtrria është qytet kulturor e vërtetojnë edhe disa monumente që ndodhen në këtë qytet, si: Ura e gurit, hamami i qytetit, kështjella (Kalaja) e Vushtrrisë, çezmja e qytetit, Xhamitë disa shekullore, shtëpitë e vjetra, rrugët me kalldrëm, varrezat myslimane, etj.[3]

Vushtrria është një vend i lashtë, që daton më herët se Perandoria Romake, përkatësisht që nga koha e Dardanëve. Në kohën e Perandorisë Romake ka patur një stacion me emrin Vicianum,[4] siç e dëshmon edhe mbishkrimi i gjetur në rrethin e Kumanovës, që konsiderohet shenjë e kahjes së rrugës për në Vicianë.[5] [6]

Në fund të shekullit I para Krishtit, Viciana pushtohet nga Perandoria Romake. Gjatë periudhës së pushtimit romak (I-V), Viciana kishte arritur një zhvillim të konsiderueshëm ekonomik dhe kulturor.

Në vitin 395, pas shkatërrimit të Perandorisë Romake, Viciana mbeti në kuadër të Bizantit.

Ndërkaq fiset turke dhe sllave që erdhën në Ballkan në shekullin VI-VII, e shkatërruan këtë gadishull dhe toponimet e vjetra pellazgo-ilire ua përshtatën gjuhëve të tyre.

Në mesjetë Viciana shënohej me emrin VIÇITRINA (Trina e viçave), ndërsa sllavët këtë emër e sllavizuan duke e quajtur "VUÇITRN".[5]

Në shekujt II-III, në Vicianë dominonte Krishtërimi, ndërsa pas ndarjes së krishtërimit më 1054 në katolicizëm dhe ortodoksi, pjesa më e madhe e popullatës së Vicianës ishte katolike.

Ura e Gurit, Vushtrri

Në shekullin XIV, Perandoria Osmane filloi ta pushtonte Ballkanin. Në Vushtrri prezenca e osmanëve shënohet fillimisht në vitin 1439, ndërsa përfundimisht u pushtua në vitin 1455. Vendosja e administratës osmane në Vushtrri bëri që në këtë qytet të përhapet feja islame dhe të ndërtohen xhami, hane, medrese, hamame etj.

Gjatë shekujve XV-XVIII, Vushtrria ishte ndër qytetet më të mëdha në Ballkan dhe në Perandorinë Osmane dhe qendër e sanxhakut më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, përkatësisht gjatë viteve 1915-1918, Vushtrria u pushtua nga Austro - Hungaria.

Në Luftën II Botërore (1941-1945), Vushtrria me rrethinat e saj i takonte zonës së pushtuar nga gjermanët. Më 21 nëntor 1944, në Vushtrri u vendos administrata komuniste jugosllave, kundër së cilës ishte e tërë popullata e saj.

Në mars 1989, dhuna shtetërore serbe e rrënoi Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974. Sërish, kundër kësaj dhune u ngrit e tërë popullata, e cila rezultoi përfundimisht me luftën e armatosur të popullit të Kosovës kundër kësaj dhune shtetërore dhe gjenocidi, e organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe e ndihmuar nga ndërhyrja e forcave të NATO-s, (mars - qershor 1999), e cila i dha fund kësaj gjendjeje. Gjatë kësaj lufte, në Vushtrri dhe rrethinat e saj janë vrarë mbi 500 shqiptarë civilë dhe janë zhdukur mbi 100 të tjerë. Forcat e NATO-s hynë në Vushtrri më 16 qershor 1999.[3]

Dita e çlirimit të Vushtrrisë është 17 qershori.

Vushtrria gjendet në veri-lindje të Kosovës. Me një sipërfaqe gjithsej prej 345 km2, gjatësia e saj nga veriu në jug është 34 km dhe 23 km nga lindja në perëndim. Vushtrria është e rrethuar nga Mitrovica në veri, Besiana në lindje, Kastrioti në jug, Drenasi në jugperëndim dhe Ferizaji në perëndim. Komuna e Vushtrrisë ka 67 fshatra. Kjo zonë e mbuluar nga Vushtrria zë afërsisht 3.2% të territorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës. Vushtrria ka një pozitë shumë të favorshme gjeografike sepse shtrihet në pjesën veriore të "Rrafshit të Kosovës" (një nga dy njësitë e rrafshnalta rajonale të Kosovës), ku takoheshin rrugët e transportit të lashtë dhe mesjetar, të cilat kishin një rol të rëndësishëm në krijimin dhe zhvillimin e qytetit dhe rajonit. Dy rrugët antike më të rëndësishme në Kosovë ishin: rruga veri-lindore në jug-perëndim Naissus-Lissus (Nis-Lezhë) dhe rruga veri-perëndim në jug-lindje që lidhte Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut. Thuhet se këto dy rrugë kalonin nga Vushtrria, dhe kishin një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e rajonit të Mitrovicës. Sot autostrada Prishtinë-Mitrovicë kalon nëpër Vushtrri, dhe lidh rajonin verior të Kosovës me pjesën lindore dhe qendrore të vendit.

Në përgjithësi, territori i Vushtrrisë është kodrinor. Pika më e ulët është 508 m mbi nivelin e detit, afër vendit ku lumi Smrekonica derdhet në lumin Silnica. Pika më e lartë në territor është 1,380 m në majën "Maja e Zezë", në jug të fshatit Bare. Territoret e luginës rrethojnë lumin Sitnica, i cili kalon nga veriu në jug, duke arritur gjerësinë maksimale para se të bashkohet me lumin Llapi. Pjesa më kodrinore e komunës është kryesisht në anët lindore dhe perëndimore. Malet në Vushtrri janë në pjesën jugore të Kopaonikut dhe në anën lindore të Qyqavicës. Malet e Qyqavicës shtrihen në anën perëndimore të qytetit, me një pikë më të lartë prej 1,091 m. Këto male janë një kufi natyror midis dy luginave të mëdha, të njohura si "Rrafshi i Kosovës" dhe "Fushëgropa e Drenicës".

Lumi më i madh që derdhet në Vushtrri është Sitnica. Është lumi i dytë më i madh i pellgut natyror të Kosovës (2,912 km2), pas Drinit të Bardhë (4,313 km2). Sipas vëzhgimeve hidrometrike shumëvjeçare, Sitnica rrjedh me një shpejtësi prej përafërsisht 13.94 m3/s, ose 439.11 milion m³ ujë në vit. Lumi Sitnica mbledh lumenj më të vegjël si Llapi, Lumkuqi, Tërrstena, Banja e Gjytezës dhe disa rrjedha të tjera ujore që vijnë nga ana lindore e malit Çyçavica. Lumi Sitnica është në kategorinë e katërt të ndotjes, kategori kjo e cila përfshin lumenjtë më të ndotur në Kosovë. Përveç ndotjes kimike, lumi Sitnica është i kontaminuar edhe nga fenoli, uji industrial dhe urban i KEDS-it.

Në qytet kalon edhe lumi Tërrstena; burimi i tij ndodhet në jugperëndim të maleve të Kopaonikut. Vushtrria furnizohet me ujë nga hidrosistemi “Ibër-Lepenc”. Rreth 84% e familjeve që banojnë në Vushtrri janë të lidhura me ujësjellësin publik në krahasim me mesataren e ekonomive familjare të Kosovës prej 60%. Familjet e mbetura kanë qasje në ujë të pijshëm të sigurt përmes çezmave publike (1%), puseve të mbrojtura (1%) dhe burimeve të mbrojtura (3%), ndërsa 4% përdorin ujë në shishe. Tetë për qind e familjeve në Vushtrri (krahasuar me mesataren e Kosovës prej 9%) nuk kanë qasje në ujë të pijshëm të sigurt pasi e marrin atë nga puset e gypeve.

Vushtrria, pamje nga Bukoshi
Vushtrria njihet si një prej qyteteve të prodhimit të patates

Degët kryesore të veprimtarisë ekonomike në Vushtrri gjatë viteve 1918 - 1941 kanë qenë: bujqësia, blegtoria, zejtaria, tregtia etj. Në bazë të regjistrimit të vitit 1928, në Vushtrri janë prodhuar-grumbulluar rreth 300 deri 400 vagonë drithë. Ndërkaq janë prodhuar 5.500 dema dhe buaj për therje, 6.000 dhi për lesh dhe 1500 kg djathë dhe kaçkavall. Në Vushtrri ishte e zhvilluar edhe zejtaria. Kishte kryesisht lëkurëpunues, metalpërpunues, pëlhurëpunues, etj.

Sa i përket industrisë, Vushtrria kishte 5 mini-elektrana të lëshuara më 1929 dhe një sharrë druri me rrymë. Është interesante të theksohet se në vitin 1922, në Vushtrri u themelua Banka Kreditore e Vushtrrisë. Në vitin 1921, vetëm qyteti i Vushtrrisë (pa fshatrat) kishte 4.667 ose 940 shtëpi.

Gjatë viteve '70-të, pati disa lëvizje pozitive për sa i përket zhvillimit ekonomik, kur u ngritën disa kapacitete industriale, siç ishin: fabrika e llamarinës së zinkuar, fabrika e konfeksionit, ajo e bojërave dhe ilaçeve, etj. Në këtë periudhë funksiononin edhe tri ndërmarrje publike, si dhe një ndërtimore. Gjatë kësaj periudhe u vu në funksion edhe sistemi i ujitjes, i cili ishte përparësi e madhe për fermerët lokal. Më 1976 u aplikua masa e grupëzimit të tokave, që intensifikoi zhvillimin e bujqësisë së kësaj treve.

Ekonomia e Vushtrrisë u riaktivizua pas luftës, por në shkallë shumë të ulët. Sektori privat është bartësi kryesor i zhvillimit ekonomik. Gjithsej biznese të regjistruara në komunë janë 1739, ku dominojnë ndërmarrjet tregtare.

Numri i NVM-ve është në rritje, kryesisht mbi bazë të shfrytëzimit të mjeteve private të sipërmarrësve.

Tradicionalisht, sektorët më të zhvilluar janë:

  1. bujqësia (ekstensive),
  2. zejtaria,
  3. industria e tekstilit dhe
  4. përpunuese.

Industria pas konfliktit të fundit ka shënuar rënie të dukshme dhe kapacitetet e saj funksionojnë vetëm në masën 20%. Në bujqësi, shumica e tokave janë të pjerrëta, nga të cilat shumë janë të zhveshura, kurse të tjerat shfrytëzohen për kullota dhe prodhimtari bujqësore. Vushtrria është prodhuesi më i madh i patates në Kosovë. Është në fazën përfundimtare vendosja e pajisjeve në fabrikën e re (të parë) të përpunimit të patates, e cila fillon me prodhim në fillim të muajit shkurt. Vushtrria posedon një tokë tejet cilësore, me rreth 15.879 ha, nga të cilët rreth 7000 ha janë nën sistemin e ujitjes.

Sektori i shërbimeve kryesisht përfaqësohet me dyqanet për riparimin e automjeteve, sallonet e bukurisë dhe rrobaqepësisë dhe me disa ndërmarrje ndërtimore. Këto shërbime mbulohen 85% nga sektori privat, ndërsa shërbimet publike dhe industriale ofrohen nga ndërmarrjet publike komunale, që janë në pronësi të shtetit dhe të cilat nuk arrijnë të plotësojnë më shumë se 50% të nevojave.

Kontrolli i fortë nga niveli qendror i shpenzimit të mjeteve buxhetore si dhe buxheti i dobët komunal janë faktorët kryesorë që përkufizojnë zhvillimin e ngadalshëm të ekonomisë së komunës me rrethinë. Për vitin 2003 janë aprovuar vetëm 4.800.000 € mjete buxhetore, duke përfshirë edhe të ardhurat private, me këtë strukturë: 40% për zhvillim ekonomik, 25% për çështje sociale dhe 35% mbrojtje mjedisi.

Zona ka potenciale natyrore që ofrojnë mundësi për turizëm: në anën perëndimore shtrihen malet e Qyqavicës, kurse në anën lindore malet e Shalës.

Ekzistojnë pasuri natyrore sipërfaqësore dhe nën sipërfaqësore, nga të cilat momentalisht shfrytëzohen guroret dhe thëngjilli. Ndërkaq, magneziti dhe burimet termale nuk shfrytëzohen akoma.

Papunësia dhe punësimi i pjesshëm është rreth 40%, me shkallën më të lartë në vendet rurale. Shkallë e lartë e papunësisë ekziston gjithashtu edhe tek femrat, të rinjtë dhe inxhinierët.[3]

Popullsia historike komunale
VitiPop.±% p.a.
194830.069—    
195334.029+2.51%
196139.779+1.97%
197150.724+2.46%
198165.512+2.59%
199180.644+2.10%
201169.870−0.71%
2016
est.
64.578−1.56%
Source: Division of Kosovo

Komuna e Vushtrrisë ka 67 fshatra. Numri i përgjithshëm i banorëve të komunës është 69.870. Përafërsisht 25,000 njerëz jetojnë në zonat urbane, ndërsa 45,000 jetojnë në zonat rurale. Dendësia e popullsisë është 202 njerëz/km2. Vushtrria ka popullatë të re, nivel të lartë të natalitetit dhe migrim lokal, rajonal dhe të jashtëm.

Përbërja etnike e komunës:

Gjithsej Shqiptarët Serbët Turqit Boshnjakët Romët në Kosovë Ashkali Egjiptian Goranët Të tjerë
69,870 68,840 384 278 33 68 143 1 3 120

Para masave të dhunshme serbe të viteve 1990-1999, komuna e Vushtrisë ka pasur 9 biblioteka publike me 77.284 libra. Biblioteka kryesore ka pasur 34.049 libra, ndërsa degët në Maxhunaj, Dumnicë, Samadrexhë, Pantinë, Strofc, Duboc, Smrekonicë dhe Prelluzhë kanë pasur 43.235 libra. Lufta e Kosovës ka goditur bibliotekat e këtij qyteti.[nevojitet citimi]

Dy biblioteka, në Strofc dhe Duboc u dogjën nga zjarri i dorës serbe, ndërsa bibliotekat e Smrekonicës dhe të Prelluzhës kanë qenë dëmtuar. Në këtë komunë janë zhdukur 38.564 libra dhe inventari.

Jeta kulturore në Vushtrri është e begatë. Më herët ishte hapur edhe shoqata kulturore "Vicianum", e cila kishte hapur shkollën me drejtime të ndryshme, duke filluar nga drejtimi për vallëzim, këndim e deri tek drejtimi për aktrim. Sukseset e tyre, nxënësit e kësaj shkolle i prezantojnë në festivale dhe gara të organizuara nga vetë shoqata, drejtor i së cilës është z. Qamil Sahiti.

Po kështu, në qytetin e Vushtrrisë ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe disa shoqëri tjera kulturore, si ajo e Ansamblit të valleve pranë Shtëpisë së Kulturës në Vushtrri, OJQ-ja "Kultstudio", Shoqata kulturore turko-shqiptare nga Vushtrria "Çeshme", ansambli nga Shtruhera "Bahri Kuçi", dhe disa shoqata të tjera nga qyteti i Vushtrrisë. Për adhuruesit e teatrit përkujdesen aktorët e teatrit të qytetit "HASAN PRISHTINA".

Aktivitet me rëndësi në qytetin e Vushtrrisë është edhe Takimi i Poeteve Shqiptare në Vushtrri, i cili ka karakter garues; ai ka filluar të mbahet që nga viti 1976 dhe është mbajtur vazhdimisht, me përjashtim të vitit 1981 dhe viteve të luftës së fundit në Kosovë.

Ky manifestim është mbarëkombëtar dhe në të marrin pjesë poetet më të njohura shqiptare nga: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe nga diaspora.

Disa nga monumentet e trashëgimisë kulturore në Vushtrri, që mbartin vlera arkitektonike dhe që përbëjnë thesarin e trashëgimisë kulturore të Vushtrrisë por edhe të Kosovës, janë: Kështjella e qytetit, Hamami i qytetit, Çeshmja, Ura e gurit, Xhamia e Çarshisë, Xhamia Gazi Ali Beg, Xhamia Karamanli, Teqeja, varreza të ndryshme, shumë objekte të tjera banimi, si dhe komplekse të ndërtesave dhe dyqaneve të vjetra.[3]

Personalitete të shquara

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë, 2011, fq. 986
  2. ^ Jusuf Osmani:Vendbanimet e Kosovës, (Vushtrria, 16) - Kosova dwelings, (Vushtrria, 16), Prishtinë, 2005, fq. 22 - 23. OCLC 838317196,
  3. ^ a b c d Shih edhe:Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 2928 - 2931.
  4. ^ Kaspar, Martina; Holzman, Gunther (2017). Kosovo: kultur, natur & abenteuer für individualiste (në gjermanisht). Ksamil: Hobo Team. fq. 56.
  5. ^ a b Skënder Rizaj:Viçitrina gjatë periudhës osmane (Shek.XV-XVIII). fq.74-103. Vushtrria-Viciana me rrethinë (Monografi), Kuvendi Komunal i Vushtrrisë, Vushtrri, 2003.
  6. ^ Sot, një rrugë përkatësisht një lagje në Vushtrri quhet Viciana.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]



Stema e shtetit
Deklarata Kushtetuta Republika e Kosovës SHPK TMK
Gjykata Kuvendi Kryetari Qeveria Shërbimet
Komunale : Artana  · Dardana  · Deçani  · Sharri  · Drenasi  · Ferizaj*  · Fushë Kosova  · Gjakova*  · Gjilani*  · Graçanica  · Hani Elezit**  · Burimi  · Juniku  · Kaçaniku  · Klina  · Kllokoti  · Albaniku  · Lipjani  · Malisheva  · Mamusha  · Mitrovica*  · Kastrioti  · Parteshi  · Peja*  · Podujeva  · Prishtina*  · Prizreni*  · Rahoveci  · Ranillugu  · Shtërpca  · Shtime  · Skënderaj  · Theranda  · Vitia  · Vushtrria  · Zubin Potoku  · Zveçani
Rajonale : Gjakova ·  Gjilani · Mitrovica · Peja · Prizreni · Prishtina · Ferizaj