Universiteti Bujqësor i Tiranës
Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) është institucion i arsimit të lartë në Shqipëri, që ofron studime mbi agronominë, veterinarinë, ekonominë agrare, inxhinierinë pyjore, mjedisin rural, dhe degë të ngjashme. UBT është qendra më e madhe e edukimit dhe kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë dhe ushqimit në Shqipëri. Kampusi i UBT-së është i vendosur në një kodrinë të pyllëzuar në periferinë veri-perëndimore të Tiranës, rreth 7 km nga qendra e qytetit.
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]UBT u krijua më 1 nëntor 1951 si Institut i Lartë Bujqësor (ILB). Më 1991 u emërtua Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT). Deri në vitin 1990 universiteti ishte i organizuar në katër fakultete (Agronomi, Ekonomi Agrare, Inxhinieri Pyjore dhe Veterinari) me rreth 6000 studentë e 480 pedagogë. Në vitin 1992-1994, përmes asistencës së dy projekteve SARA, të financuar nga qeveria e SHBA-së (USAID) dhe atij GTZ të financuar nga qeveria Gjermane, u krye ristrukturimi akademik i universitetit. Nga viti 2001-2002 UBT është në një proces të ri të ristrukturimit në përputhje me "deklaratën e Bolonjës", UBT, në vitin akademik 2005-2006, pritet të organizoje studimet sipas skemës së re 3+2+3 (Bachelor, Master dhe Doktoraturë).
Në UBT kërkimi shkencor konsiderohet si një komponent esencial i jetës akademike. Kërkimi është realizuar në sajë të projekteve nacionale me pjesëmarrjen në programet "Bujqësia dhe Ushqimi, biotekonologjia dhe Diversiteti Biologjik", në projektet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në projektet bilaterale me qeverinë greke dhe italiane, në projektet DAD, në projektet e NATOS, në projektet IMG Tempus, në projektet e Bankës Botërore, në projektet për kërkim dhe zhvillim të akorduara nga qeveria shqiptare me një buxhet special në vitin 2004. UBT është iniciator i lidhjeve të shkencës me prodhimin. Këto lidhje janë konkretizuar përmes marrëveshjeve të lidhura me biznesin shqiptar.
UBT ka marrëdhënie bashkëpunimi me shume universitete në Evropë dhe SHBA, si me Universitetin e Hohenheimit-Stuttgart, Universitetin Humboltd-Berlin, Universitetin e Bonit, Universitetin e Gotingenit, në Gjermani; Universitetin e Viterbos, Universitetin e Potencës, Universitetin e Udines, IAM-Valenzano, Universitetin e Barit, në Itali; Institutin Politeknik dhe Universitetin Shtetëror të Virxhinias, Universitetin e Atlantës, Universitetin e Kolorados, Universitetin Georgia, Universitetin e Oklaomes, në SHBA; Institutin Nacional Politeknik të Nansisë dhe Qendrën Ndërkombëtare Mesdhetare të Studimeve Agronomike (CHIEHAM), në Montepelie, Francë; Universitetin Aristoteli të Selanikut, Universitetin e Patras, në Greqi; me Universitetin ST. Kliment Ohridski-Bitola, Maqedoni dhe Universitetin e Shkencave Agronomike dhe Mjekësisë Veterinare në Bukuresht, Rumani.
Fakultetet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit
- Fakulteti i Mjekësisë Veterinere
- Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit
- Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit
- Fakulteti i Shkencave Pyjore
Fakulteti i Ekonomisë & Agrobiznesit (FEA)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fakulteti i Ekonomisë & Agrobiznesit (FEA) ka një jetë relativisht te re. Ai zë fill që nga viti 1971 (në atë periudhë emërtohej-Fakulteti i Ekonomisë Agrare). Ish Fakulteti i Ekonomisë Agrare, funksionoi si i tillë deri në vitin 1994, periudhë e cila përkon me ristrukturimin tërësor të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ky ristrukturim çoi në fuzionimin e këtij Fakulteti në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë, me dy departamentet përkatëse, Departamenti i “Drejtimit te Fermave dhe Agrobiznesit” dhe Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave Agrare. Ky ristrukturim, i cili filloi në vitin 1994 dhe përfundoi në vitin 1998, u realizua me konsulencën e projektit SARA (American Support for Agricultural Restructuring in Albania) dhe kishte si objektiv themelor përgjigjen ndaj kërkesave të reja që do të ofronte zhvillimi i bujqësisë dhe i sistemit të agrobiznesit në tërësi. Në vitin 2007, si pasojë e ristrukturimit të ish-Fakultetit të Bujqësisë, u krijua Fakultet i Ekonomisë & Agrobiznesit, i cili ka aktualisht tre departamente, Dep. i “Drejtimit të Agrobiznesit” dhe Dep. i Ekonomisë dhe Politikave Agrare dhe Dep. i Financë Kontabilitetit. Ky fakultet ofron lëndë dhe studime që lidhen me strategji të menaxhimit të inputeve dhe outputeve në bujqësi, menaxhimin e agrobiznesit, strategji të integrimit të fermerëve në tregje, politika dhe strategji të zhvillimit rural të integruar, politikat agrare.
Fakulteti i Mjekësisë Veterinare (FMV)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fakulteti Mjekësisë Veterinare ofron programe studimi në tre drejtime kryesore aftësimi: Shëndetin e kafshëve të prodhimit, Shëndetin e kafshëve të shoqërimit, Shëndetin publik. Ky fakultet udhëhiqet nga koncepti bashkëkohor i profesionit të veterinerit: "të parandalojë dhe luftojë sëmundjet e kafshëve; të kontribuojë në mbarështimin sa më të mirë dhe rritjen e prodhimit të kafshëve; të mbrojë njerëzit nga infeksionet që vijnë nga kafshët dhe nga ushqimet me origjinë shtazore”. Fakulteti ofron njohuri ne fusha si: kontrolli i produkteve me origjinë shtazore, sëmundjet e specieve, riprodhimi dhe patologjitë e tij, sëmundjet e derrave dhe shpendëve. Kjo veprimtari kryhet pranë strukturave didaktike të Fakultetit dhe Universitetit dhe strukturave publike dhe private të përzgjedhura nga Fakulteti. Praktika profesionale është e detyrueshme në përfundim të kursit teorik në semestrin e 10-të.
Fakultet i Bujqësisë dhe Mjedisit (FBM)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit ofron lëndë dhe njohuri si: parashikimi i burimeve ushqimore, zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë, mbrojtja dhe rigjenerimi i burimeve, përdorimi racional i burimeve prodhuese, sigurimi i produkteve ekologjikisht të pastra, dhe siguria ushqimore.
Faqja zyrtare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]