Jump to content

Relievi i Kosovës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Relievi i Kosovës
Relievi i Kosovës

Relievi i Kosovës përbëhet prej vargmaleve, maleve, fushëgropave dhe luginave (të krijuara me lëvizje tektonike, forma erozive dhe akumulative) etj.

Malet përbëjnë rreth 63 % të territorit dhe ndahen në disa grupe: malet periferike dhe qendrore, të larta, mesme dhe të ulëta.

Malet periferike kanë pozitë skajore në formë vargmalesh, grup malesh dhe malesh të veçuara, shtrihen në territorin e Kosovës dhe jashtë saj.

Malet qendrore janë male të ulëta, zënë më pak sipërfaqe, janë të veçuara ose në grupe dhe shtrihen brenda territorit të Kosovës.

Në grupin e maleve periferike bëjnë pjesë: Vargmalet lindore të Alpet Shqiptare, Malet e Hasit me Pashtrikun, Malet e Sharrit me Koritnikun, Mali i Zi i Shkupit (Malet e Karadakut), Malet lindore të Gallapit (Gollaku), Kopaoniku dhe Rogozna.

Malet Qendrore gjenden në pjesën e brendshme të Kosovës në mes Rrafshit të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit. Këto male në jug dhe në veri lidhen me Malet e Sharrit dhe Malin e Thatë, në mes ndahen nga Fusha e Drenicës. Malet qendrore të Kosovës i përbëjnë : Caraleva, Lipovica, Goleshi, Berisha, Kosmaçi, Drenica, Qyqavica, të cilat janë të larta nga 800 deri 1200 m. Lumi Mirusha e ndan grupi tjetër të maleve, që shtrihet në jugperëndim të Maleve Qendrore dhe të cilat përbëhen prej maleve Millanoviq, Gajrak, Zatriq, Bajrak dhe Gremnik, të larta në mes 706 dhe 1039 m.

Fushat dhe luginat. Relievi i lëshuar është me fushëgropa, lugina lumore, lugina akullnajore, morena, pllaja, lugina grykore dhe forma tjera.

Nga fushëgropat më tipike janë : e Dukagjinit, Fusha e Kosovës e Llapit, ndërsa nga fushat tipike dallojmë atë të Drenicës dhe të Anamoravës.

Majet më të larta të maleve :

  • Gjeravica (Regjioni Pejë) 2.656 m
  • Bistra (Regjioni Ferizaj) 2.640 m
  • Marjash (Regjioni Pejë) 2.530 m
  • Mali i Lumbardhit (Regjioni Pejë) 2.335m [1]
  • Luboteni (Regjioni Ferizaj) 2.496 m
  • Kopraniku (Regjioni Pejë) 2.460 m
  • Mali i Strellcit (Regjioni Pejë) 2.377 m
  1. ^ Lafe, Emil, red. (2009). Fjalor Enciklopedik Shqiptar [Encyclopedic Dictionary of Albania]. Vëll. 2. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 1573. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]