Jump to content

Ligjet e Nurembergut

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Faqja e titullit të botimit Reichsgesetzblattgazetës së qeverisë gjermane që shpall ligjet, botuar më 16 shtator 1935 (RGBl. I Nr. 100)

Ligjet e Nurembergut (gjermanisht: Nürnberger Gesetze) ishin ligje antisemite dhe raciste që u miratuan në Gjermaninë naziste më 15 shtator 1935, në një takim të posaçëm të Rajhshtagut të mbledhur gjatë tubimit vjetor të NurembergutPartisë Naziste. Dy ligjet ishin Ligji për Mbrojtjen e Gjakut Gjerman dhe Nderit Gjerman, që ndalonte martesat dhe marrëdhëniet jashtëmartesore midis hebrenjve dhe gjermanëve dhe punësimin e femrave gjermane nën 45 vjeç në familjet hebreje; dhe Ligji për Shtetësinë e Rajhut, i cili deklaronte se vetëm ata me gjak gjerman ose gjak të afërt kishin të drejtë të ishin qytetarë të Rajhut. Pjesa tjetër u klasifikua si subjekte shtetërore pa asnjë të drejtë qytetarie. Një dekret plotësues që përshkruante përkufizimin se kush ishte hebre u miratua më 14 nëntor dhe Ligji për Shtetësinë e Rajhut hyri zyrtarisht në fuqi në atë datë. Ligjet u zgjeruan më 26 nëntor 1935 për të përfshirë romët dhe zezakët. Ky dekret plotësues përcaktoi romët si "armiq të shtetit të bazuar në racë", në të njëjtën kategori me hebrenjtë.

Nga shqetësimet e politikës së jashtme, ndjekjet penale sipas dy ligjeve filluan vetëm pas Lojërave Olimpike Verore të vitit 1936, të mbajtura në Berlin. Pasi Hitleri erdhi në pushtet në 1933, nazistët filluan të zbatojnë politika antisemite, të cilat përfshinin formimin e një Volksgemeinschaft (komuniteti popullor) të bazuar në racë. Kancelari dhe Fyhreri (udhëheqësi) i Partisë Naziste, Adolf Hitleri shpalli një bojkot kombëtar të bizneseve hebreje më 1 prill 1933 dhe Ligji për Rivendosjen e Shërbimit Qytetar Profesional, i miratuar më 7 Prill, përjashtoi të ashtuquajturit joarianë nga profesioni ligjor, shërbimi qytetar dhe nga mësimdhënia në shkollat e mesme dhe nga universitetet. Librat e konsideruar jogjermanë, duke përfshirë ato të autorëve hebrenj, u shkatërruan në një djegie mbarëkombëtare librash më 10 maj. Qytetarët hebrenj u ngacmuan dhe iu nënshtruan sulmeve të dhunshme. Ata u shtypën në mënyrë të vazhdueshme, iu hoqën shtetësia dhe të drejtat qytetare dhe përfundimisht u larguan plotësisht nga shoqëria gjermane.

Ligjet e Nurembergut patën një ndikim të dëmshëm ekonomik dhe shoqëror në komunitetin hebre. Personat e dënuar për shkelje të ligjeve të martesës u burgosën dhe (pas 8 marsit 1938) pas përfundimit të dënimit u arrestuan sërish nga Gestapoja dhe u dërguan në kampet naziste të përqendrimit. Johebrenjtë hap pas hapi pushuan së komunikuari me hebrenjtë ose së bleri në dyqanet në pronësi të hebrenjve, shumë prej të cilave u mbyllën për shkak të mungesës së klientëve. Meqenëse hebrenjtë nuk lejoheshin më të punonin në shërbimin qytetar ose në profesione të rregulluara nga qeveria si mjekësia dhe arsimi, shumë pronarë biznesesh dhe profesionistë të klasës së mesme u detyruan të merrnin një punë të ulët. Emigirmi ishte problematik, pasi hebrenjve iu kërkua të paguanin deri në 90% të pasurisë së tyre si taksë pas largimit nga vendi.[1] Deri në vitin 1938 ishte pothuajse e pamundur për emigrantët e mundshëm hebrenj të gjenin një vend të gatshëm për t'i marrë ata. Skemat e dëbimit masiv si Plani i Madagaskarit rezultuan të pamundura për t'u realizuar nga nazistët dhe duke filluar nga mesi i vitit 1941, qeveria gjermane filloi shfarosjet masive të hebrenjve evropianë.

  1. ^ Longerich 2010.