Jump to content

Kristo Frashëri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
The printable version is no longer supported and may have rendering errors. Please update your browser bookmarks and please use the default browser print function instead.
Pullë poste kushtuar Kristo Frashërit

Kristo Frashëri (Stamboll, 4 dhjetor 1920 - Tiranë, 31 janar 2016) ka qenë veprimtar i Luftës Nacional Çlirimtare dhe historian shqiptar.

Jeta

U lind në Stamboll, ishte djali i parë i patriotit dhe rilindasit Anastas Frashëri dhe i Evdhoksi Tole-Ogrenit dhe rrjedh kështu prej njërës nga dinastitë e familjeve të Frashërit. I pagëzuar në kishën e Shën Triadhës së Fanarit në Stamboll, pati si kumbar Dhimitër Nolin, vëllain e peshkopit Fan Noli.

Më 1940 ka qenë pjesë në Grupin Komunist të të Rinjve, gjë për të cilën figuronte edhe në një "studim të grupeve antiparti" të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit më 1964.[1] Më 19 prill 1943 figuron si ilegal në listën e të akuzuarve të gjyqtarit hetues major Sartorio Gresertenti.[2]

Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën, ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në Betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Sami Frashërit. Spikatin punimet shkencore të botuara pas vitit 1990, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).

Botimet

Referime

  1. ^ Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 172, 174. ISBN 9789928106384.
  2. ^ Dervishi 2016, p. 251.